Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, konfirmon zërat që e shohin te kuqeblutë si këshilltar.
Luçiano Moxhi është gati të kthehet në botën e futbollit. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit konfirmon zërat, që qarkullojnë ditët e fundit mbi përfshirjen e tij të mundshme në krah të ortakëve të rinj të Bolonjës. “Thjesht jam treguar i gatshëm, - tregon “Big Luçiano”, - për të punuar. Disa muaj më parë, për të ndihmuar presidenten aktuale Menarini për të gjetur ortakë të rinj për Bolonjën, mendova të përfshihesha edhe unë”.
Ish-drejtuesi i famshëm i Juventusit nga 1994 deri më 2006-ën e ka mbyllur me botën e futbollit pas skandalit të “Calciopoli”-t dhe dënimit 5-vjeçar që i është dhënë për të kryer nga Gjykata Federala e Federatës Italiane të Futbollit. “Për atë që më takon, - vazhdon më tej Moxhi, - nuk kam interes direkt për blerjen e aksioneve të klubit kuqeblu, por është e qartë se në rast të një përfshirjeje të ortakëve të rinj të kontaktuar nga unë, do të isha gati të mbuloja rolin e këshilltarit në merkato”.
Bolonja nuk e konfirmon, por as e përgënjeshtron. Nga klubi kuqeblu bëjnë të ditur që diçka më shumë do të mësohet në ditët e ardhshme.