JOAN LAPORTA
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka pranuar se Manchester City ka bërë një ofertë monstruoze për sulmuesin Samuel Eto’o.
Çështja e kamerunasit mbetet e pazgjidhur, ndërsa Laporta ka thënë për “Sky Sports News”, se pasanikët nga Liga Premier kanë bërë një ofertë të cilën nuk do të mund ta refuzojë Eto’o.
Sipas Laportas, nëse Eto’o kalon te City ai do të bëhet lojtari më i paguar në botë.
“Ka filluar të kuptohet se ia kanë bërë një ofertë monstruoze. Ai dëshiron të qëndrojë, mirëpo një ofertë të tillë është vështirë ta refuzosh. Nëse Eto’o e pranon këtë ofertë stratosferike, atëherë ne duhet ta sjellim ndonjë sulmues tjetër”, ka thënë Laporta.
---------------------------------------------------------------------------------------
Xavi: Villa do të përshtatej për mrekulli te Barca
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, dëshiron ta përdorë ndikimin e tij për ta joshur sulmuesin e Valencias, David Villa, drejt Camp Nout.
Ende nuk është qartësuar situata e sulmuesit spanjoll, nëse do të qëndrojë ose do të largohet nga Mestalla, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuara të gjitha skuadrat e mëdha evropiane.
“Unë e njoh atë qe një kohë të gjatë dhe kemi raporte shumë të mira. ai ka qenë gjithmonë i afërt me lojtarët e Barcelonës dhe ne argëtohemi shumë bashkë”.
“Ai ka një teknikë të shkëlqyer dhe ka sy për gol, prandaj do të përshtatej në mënyrë të përsosur në stilin tonë të lojës”, ka thënë Xavi.